Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca – Foto: Vjosa Osmani/ Facebook
Osmani, Konjufca e Kurti, urojnë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.
Presidentja Osmani ka theksuar se sakrificat e përcjellin njerëzimin përgjatë gjithë rrugëtimit jetësor dhe se festat sikurse Bajrami shpërfaqin solidaritetin ndërnjerëzor.
“Populli ynë e kupton shumë mirë se çfarë domethënie ka sakrifica. Në këtë ditë feste, ne jemi më mirë se Bajramin e kaluar. Sot, ndani me të tjerët, jo vetëm të mirat nga tryezat tuaja, sot shpërndani dashuri, mirësi, përkujdesje e harmoni me të gjithë! Kjo festë e sakrificës sjelltë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati. Mbi të gjithë sjelltë shëndet dhe mbarësi për ditë të mbara, paqe e solidaritet ndërnjerëzor”, ka theksuar Presidentja Osmani në telegramin e urimit drejtuar besimtarëve myslimanë.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit. Ai tha se kjo festë është një datë e rëndësishme e cila shënon kulmin e pelegrinazhit të haxhit në Mekë dhe Medinë dhe sakrificën e besimtarit mysliman.
Janë ditë të bukura gëzimi dhe paqeje të cilat frymëzojnë dashuri familjare, sjellin frymën e solidaritetit dhe manifestojnë vlerën e përkushtimit të patundur. Me këtë rast, shpreh urimet tona të ngrohta, me dëshirën për ta kaluar këtë festë me shëndet, lumturi dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit”, uroi Konjufca.
Konjufca tha se kësaj here, edhe pse manifestimi i Bajramit është lehtësuar dukshëm, qytetarët nuk duhet të hezitojnë të vaksinohen e të tregojnë kujdes të vazhdueshëm për shëndetin e tyre dhe të tjerëve.
“Le të punojmë së bashku për të mirën e qytetarëve dhe përparimin e vendit tonë. Jam i bindur se me devotshmëri dhe përpjekje të përbashkëta arrihet suksesi politik, rritja ekonomike dhe mirëqenia sociale e popullit tonë. Zoti ju bekoftë të gjithëve! Urime festën!”, përfundoi Konjufca.
Urime për festën e Kurban Bajramit, qytetarëve të Kosovës u ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Duke kujtuar mesazhin e kësaj feste, që është sakrifica, Kurti tha se me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë.
“Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj lumturi e gëzim në festën e sakrificës, Kurban Bajramin. Sakrificën që bëhet për qëllim të mirë, e don Zoti, e don edhe shoqëria. Sakrifica e bërë për qëllim të mirë na i gëzon zemrat. Ne humbasim diçka, por fitojmë shumë. Ky është mesazhi i kësaj feste, që ka edhe më shumë domethënie për popujt siç jemi ne, pra jo të mëdhenj e jo të pasur. Me sakrificat tona të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, ne do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë”, shkroi Kurti.
Kreu i ekzekutivit tha se përkundër që këtë vit Bajrami festohet siç e do tradita të gjithë duhet të kujdesen për higjienën e distancën sociale pasi pandemia është rikthyer në disa vende të botës.
“Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër. Kështu që, Kurban Bajramin mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, të ruajmë higjienën e distancën sociale, sepse ka vende të botës ku pandemia po rikthehet. Edhe një herë ju uroj, juve e familjeve tuaja, për hajr Bajramin!”, përfundoi Kurti.