Presidentja Osmani nderon me Medaljen Presidenciale gratë e Ukrainës për kontribut në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet me iniciativë të saj, ka dekoruar gratë e Ukrainës me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontribut në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Kosova që nga fillimi i agresionit të Rusisë në Ukrainë ka strehuar një grup grash gazetare nga Ukraina dhe të cilat sipas Presidentes Osmani janë zëri i të vërtetës që po ngjet atje. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova është rreshtuar me botën demokratike me sanksionet kundër Rusisë dhe duke ofruar përkrahje të shumanshme nda Ukrianës.
Medalja Presidenciale e Meritave u është ndarë grave ukrainase me motivacionin për vlera njerëzore, sakrificën për atdheun e tyre dhe përkushtimin ndaj lirisë dhe demokracisë.
Në emër të grave ukrainase, Medaljen e ka pranuar deputetja Yehveniia Kravchuk.
Ndërkaq me një fjalim falënderues, të pranishmëve u është drejtuar me nëpërmjet një video mesazhi, zëvendëskryministrja e Ukrainës, Emine Dzhaparova.
“Sot, gratë ukrainase tregojnë një standard të ri të guximit, dinjitetit dhe vendosmërisë. Që nga dita e parë e pushtimit të Rusisë, 13.000 ushtare vajza e gra kanë luftuar krah për krah me burrat. Ato sakrifikojnë jetën e tyre për Ukrainën e lirë të pavarur dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, Rusia mban robër qindra gra ukrainase…”, ka theksuar znj.Dzhaparova. Sipas saj “sot Putini është Millosheviqi i ri. Të dy i kanë duart të mbuluara me gjak”.
Ajo ka falënderuar për Medaljen Presidenciale dedikuar grave të Ukrainës, duke shfaqur shpresën se po t`i inkurajojë nënat, bashkëshortet, ushtarët, mjekët, gazetaret dhe të tjerët për arritje të mëtejshme.