Termeti në Japoni, Foto: NBC News

Presidentja Osmani ngushëllon Japoninë pas termetit ku humbën jetën rreth 50 persona

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime popullit japonez pas termetit të fuqishëm që i ka goditur më 1 janar.

Deri më tani, si pasojë e këtij termeti, raportohet të kenë vdekur rreth 50 persona, duke përfshirë edhe dëmtimin e mijëra ndërtesave, makinave.

‘’Zemrat tona shkojnë te të gjitha komunitetet e prekura nga termeti shkatërrues në Japoni. Iu shprehim ngushëllimet tona të përzemërta familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre. Populli i Kosovës solidarizohet me popullin në Japoni në këtë kohë të vështirë’’ – ka shkruar presidentja Osmani, në platformën X.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, autoritetet në Japoni më 2 janar u bënë thirrje njerëzve në disa zona që të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut se vendi mund të goditet nga tërmete të tjera të fuqishme.