Presidentja Vjosa Osmani - 17.02.2024
Presidentja Osmani në 16-vjetorin e Pavarësisë: Prezenca ushtarake e Serbisë në Kosovë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë
“Shteti i Kosovës është dhe do të mbetet sovran”. Kështu ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë seancës solemne të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 17.02.2024, në shënim të 16-vjetorit të Pavarësisë.
E para e shtetit ka thënë se reagimi ndaj agresionit serb, më 24.09.2023 në veri të vendit ishte i duhuri dhe i tillë do të jetë çdoherë.
Ajo ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetje të vazhdueshme ndërsa ka uruar qytetarët në Ditën e Pavarësisë.
“Reagimi ynë ndaj agresionit serb ishte i vendosur dhe ju siguroj që i tillë do të jetë çdoherë. Le të jetë e qartë, prezenca ushtarake e policore e Serbisë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë në vitin 1999 kur qiellin e Kosovës e pushtoi fryma e lirisë. Në mëngjesin e 24 shtatorit, policët kanë dëshmuar përkushtim për të mbrojtur vendin e tyre. Kosova është dhe do të mbetët e lirë dhe sovrane” – ka deklaruar Osmani.
“Është nder i madh për mua që në këtë ditëlindje të 16-të të pavarësisë sonë të ju drejtohem nga foltorja e tempullit të demokracisë, Kuvendit të Kosovës dhe t’i uroj qytetarët e republikës sonë. 17 shkurti është arritura më e madhe, i brezave të tërë ndër shekuj për të ndërtuar shtetin e lirë dhe të pavarur” – ka thënë presidentja Osmani.
Pa ndihmën e ndërkombëtarëve, sipas saj, sot vendi nuk do të festonte pavarësinë.
“Në zemër të rrugëtimit tonë, qëndron aleanca, ndaj dua t’u falënderohem miqve tanë, miqve të lirësisë: Ju ishit me ne përgjatë gjithë rrugëtimit tonë kur neve na mohohej çdo e drejtë e kur shtypeshim mizorisht, kur u çliruam dhe kur formuam shtetin tonë, dhe ju kemi pranë edhe sot. Ndër këto aleanca, aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është aleanca më e fuqishme e shtetësisë sonë ndërkaq rrugëtimi jonë drejt integrimeve atlantike është i pa alternativë”– ka thënë ajo.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.