Presidentja Osmani: Dhuna me bazë gjinore është turp kolektiv me të cilin duhet të përballemi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj të fundvitit para deputetëve mes shumë çështjeve që diksutoi për sfidat që ka përpara shteti, potencoi edhe rëndësinë e përballjes me dhunën me bazë gjinore, duke marr si shembull rastin e fundit të vrasjes së Liridona Ademajt.

Osmani para deputetëve deklaroi se dhuna me bazë gjinore është turp kolektiv me të cilin duhet të përballemi.

“Dhuna me bazë gjinore është një njollë e patolerueshme në ndërgjegjën e shoqerisë sonë, nuk është diçka private, është turp kolektiv me të cilin duhet të përballemi. Dhuna ndaj çdo gjinie është sulm mbi thelbin e njerëzores”- u shpreh Osmani.

Ajo tutje potencoi se duhet të fuqizohet çdo hallkë në institucionet e sgurisë dhe drejtesisë për përpjekje në çmontim të dhunës mbi bazë gjinore, e përballje me këtë fenomen.

“Duke dhënë dënime meritore hedhim themele për një të ardhme më të sigurtë”- shtoi me tej Osmani.

Presidentja theksoi se një grua e arsimuar e me qasje të barabartë është armiku më i madh i patriarkatit, por pasuria më e madhe e një shteti të avancuar.

“Kosova nuk ka vajza e gra për të humbur”- theksoi Osmani.

Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor në një fshat afër Prishtinës. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin edhe të bashkëshortit në mesin e tre të dyshuarve.

Ditë më vonë në Prishtinë u organizua protestë me thirrje që ngjarjet si kjo të trajtohen me urgjencë kombëtare.

Derisa, edhe krerët shtetëror kërkuan dënim maksimal për të dyshuarit në këtë rast.

Sipas raportimeve të policisë, nga viti 2010 deri më sot janë së paku 55 gra të vrara në Kosovë.

Në periudhën janar-nëntor, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje.

Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.

Në Kosovë funksionojnë dhjetë strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijëve të keqtrajtuar, abuzuar, lënë pas dore dhe pa përkujdesje familjare.