Presidenti Thaçi skeptik për takimin me Lajçak

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, para gazetarëve në konferencë për media ka folur për vizitën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Presidenti u shpreh skeptik për takim me të, duke thënë se vetëm nëse ka diçka konkrete do ta zhvillojë takimin.

“Lajçak nuk është në Kosovë momentalisht, nëse eventualisht zbret, ekipet do të komunikojnë, nëse ka diçka konkrete, nuk ka arsye për të mos u takuar. Por nëse është vetëm për të hulumtuar teren, Kosova është e hulumtuar që 20 vjet”, deklaroi Thaçi.

Sipas tij, Lajçak duhet të jetë i qartë në dy gjëra. Në liberalizimin e vizave dhe si e trajton shtetin e Kosovës.

“Lajçak  duhet të jetë i qartë në dy gjëra; për liberalizimin e vizave, sepse këtë e meritojnë qytetarët e Kosovës, më tepër se ligjërata për proceset e pafundme dhe si do ta trajtojë Kosovën, nëse e trajton si shtet i pavarur atëherë procesi do të jetë më i lehtë, nëse jo, është një mision i jo i suksesshëm”, tha Thaçi.

I pyetur se nëse do të nënshkruajë ndonjë marrëveshje në Washington, presidenti u përgjigj se “Nëse është marrëveshje e mirë, pse jo”.