Presidenti maltez: Malta do ta ndihmojë Kosovën përmes lobimit dhe zotimit për dhënie të votës

Presidenti i Maltës, George Vella, tha se pas vizitës së tij në Kosovë do të jetë me i vetdijshëm dhe me i ndjeshëm ndaj çështjeve që prekin vendin.

I ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, ai tha se Malta mund ta ndihmojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare siç është Bashkimi Evropian e NATO, përmes lobimit dhe zotimit për dhënie të votës.

“Ne mund të ndihmojmë përmes lobimit por edhe zotimit për dhënien e votës dhe përkrahjes sonë, ne do të jemi shumë të përkushtuar në këtë. Dhe prandaj thashë para fillimit të intervistës që unë do të kthehem më i pasur se që kam ardhur në Kosovë, sepse tani jam shumë më i vetëdijshëm por edhe më i ndjeshëm ndaj çështjeve që u ndanë me mua. Unë ju siguroj që unë do të ndaj shqetësimet tuaja me miqtë dhe kolegët tanë e të cilëve u besojmë dhe mund t’i shtyjmë drejt marrjes së vendimeve më të shpejta rreth çështjeve që prekin Kosovën”- tha ai.

Në lidhje me anëtarësimin e Kosovën në Këshillin e Evropës, presidenti i Maltës tha se nuk është e pamundur arritja e 2/3 të votave.

“Këshilli i Evropës nuk është unanim, funksionon sipas dy të tretës së votave, dhe kjo është një temë për të cilën bisedova me vetë presidenten por edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës gjatë takimit të sotëm. Kjo është një çështje e lobimit por edhe gjetjes së pikave të përbashkëta dhe kuptimit të saktë të gjendjes aktuale. Nuk kam për momentin numra apo statistika të sakta para vetes, por mendoj që nuk është përtej të mundshmes që kjo të arrihet, sepse 2/3 nuk janë një numër shumë vështirë i arritshëm”- tha ai.

I pyetur se a ka kërkuar ndonjëherë Serbia çnjohjen e Kosovëës nga Malta, presidenti Vella tha se asnjë lloj lobimi nuk ndikon në raportet e Maltës me vendet e tjera.

“Jo, me aq sa kam njohuri unë, jo. Por edhe nëse do të ndodhte ky lloj lobimi, kjo është politikë e brendshme jona, dhe jam shumë i sigurt që asnjë vend i huaj nuk do të mund t’i diktojë qeverisë sonë demokratike se çka duhet të bëjë apo mos të bëjë në raport me marrëdhëniet tona me vendet e tjera”- theksoi ai.