Presidenti i Maltës: BE tani po e shikon çështjen e Ballkanit Perëndimor nga një kënd tjetër

Në emisionin “Kallxo Përnime” është duke u transmetuar intervista me presidentin e Maltës, George Vella.

I pyetur se a po tregohet i padrejtë Bashkimi Evropian ndaj Kosovës për çështjen e mosheqjes së vizave për kosovarët, presidenti Vella tha se duke parë raportin e fundit të Komisionit Evropian, çështjet po merren me urgjencë tani.

Vella theksoi se BE është duke e parë nga një kënd tjetër Ballkanin Përendimor në të cilin përfshihet edhe Kosova dhe se është interes edhe i BE-së që procesi i liberalizimit të vizave të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Nëse e shohim raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovës aty mund të shihet çështja urgjencës për këtë çështje por edhe fakti që Bashkimi Evropian tani po e shikon çështjen e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet edhe Kosova nga një perspektivë apo kënd tjetër. Dhe, kjo nuk është çështje vetëm e shikimit të interesave të rajonit të Ballkanit Perëndimor por edhe interes i vetë Bashkimit Evropian, dhe është e qartë në këtë raport që Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm që është në interesin e vet më të mirë që ky proces të realizohet sa më shpejt qëtë jetë e mundur, normalisht duke zbatuar të gjitha masat e duhura të kujdesit dhe koncentrimit që duhet të kihen parasysh”- tha ai.

Duke marrë parasysh anëtarësimin e Maltës në BE në vitin 2004 dhe ngjashmërinë me Kosovën, Vella tha se të dyja vendet e kuptojnë mirë njëra-tjerën.

Sipas tij, Malta mund ta ndihmojë Kosovën me këshilla të mira pasi që Malta vetëm ka kaluar nëpër procesin e anëtarësimit për t’u bërë shtet anëtar i BE-së.