Pritja me nderime të larta shtetërore për Presidentin e Maltës në Kosovë

Pritja me nderime të larta shtetërore për Presidentin e Maltës - VIDEO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka pritur me ceremoni shtetërore presidentin e Maltës, George Vella, i cili mori pjesë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të dielën në Prishtinë.

Presidenti i Maltës, George Vella, pas takimit që pati me homologen e tij në Kosovë, Vjosa Osmani ka shprehur përkrahjen e vendit të tij për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Krahas kësaj, Vella deklaroi se mbështetin Kosovën për liberalizim të vizave duke përmendur vonesat që janë krijuar në këtë drejtim.

“Mirëpresim raportin e Komisionit Evropian, dhe e inkurajoj Kosovën të vazhdojë rrugëtimin reformues drejt perspektivës evropiane. Malta mbështet propozimin e KE-së për liberalizim të vizave, pasi Kosova ka përmbushur gjitha kushtet” – tha presidenti Vella.

Kurse, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me homologun e saj nga Malta, George Vella, ka folur lidhur me deklaratën e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se “SHBA-ja i thotë po një marrëveshjeje pa njohje nëse palët e dialogut pajtohen”.

Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Kosova një marrëveshje finale pa njohje reciproke.

Sipas saj, qëndrimi amerikan është i qartë pasi presidenti Biden ka kërkuar me shkrim që njohja reciproke të jetë në qendër të marrëveshjes, po ashtu edhe sekretari Blinken.

Forumi ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mbylli edicionin e tij të parë të dielën në Prishtinë.

Për dy ditë me radhë mbi 400 pjesëmarrës nga 33 vende të botës diskutuan në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.Mbi 26 panele në 4 salla të ndryshme treguan për rëndësinë e fuqizimit të grave, në tryeza të diskutimeve e veçanërisht në vendimmarrje.

Përfundon Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, diskutimet kryesore të pjesëmarrësve