Presidenti i Maltës: Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka pritur në takim Presidentin e Maltës, George Vella, i cili por qëndron një vizitë zyrtare në Kosovë.

Në këtë takim, Zyra e Kriministrit tha se Presidenti Vella u shpreh falënderues për mikpritjen duke thënë se “mbështetja e Maltës për Kosovën ka qenë përherë e sinqertë dhe se do të vazhdojë të jetë e tillë edhe më tej”.

Sipas ZKM-së, Vella konsideron se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Tutje u tha se Malta është e gatshme që të ndihmojë Kosovën në anëtarësimin e mëtutjeshëm në organizata ndërkombëtare dhe me vendet mos-njohëse.

“Marrëdhëniet tona dypalëshe nuk kanë kufij” – thuhet të jetë shprehur Presidenti Vella.

Sipas njoftimit, Kurti u shpreh falënderues ndaj Maltës për mbështetjen në kohë të vështira për vendin dhe mirënjohës për njohjen dhe përkrahjen në organizata ndërkombëtare.

“Kryeministri e njoftoi Presidentin Vella për qeverisjen dhe progresin në vend, indikatorët ekonomikë dhe arsyet se pse Kosova paraqet mundësi të mirë për investitorë të huaj” – u tha tutje.

ZKM tha se duke iu referuar të dhënave mbi trendin pozitiv të eksporteve, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova synon të bëhet ekonomi dhe vend i orientuar drejt eksportit.

Ndërkaq, sipas njoftimt, duke iu referuar raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterëve pa Kufi dhe Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP), Kurti tha se imazhi i vendit është përmirësuar shumë.

“Kryeministri shtoi se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Maltës duhet të shoqërohen me bashkëpunim edhe më të shtuar në fushën e ekonomisë dhe të shkëmbimeve tregtare, teksa theksoi edhe rolin e rëndësishëm që Malta mund ta luajë në raport me disa shtete mos-njohëse dhe integrimin e mëtejmë të Kosovës në organizata ndërkombëtare” – thuhet tutje.

Në takim gjithashtu u tha se u fol edhe për bashkëpunimin rajonal, Procesin e Berlinit, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ballafaqimin me krizën evropiane energjetike dhe sigurinë e rajonit e të kontinentit pas agresionit të provokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.