Presidenti i Maltës: Vendi ynë nuk është parajsë e shpëlarjes së parave

Një hulumtim i gjatë i emisionit “Jeta në Kosovë” në vitin 2020 kishte zbardhur  skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit, të regjistruara në shtetin e Maltës, do të përfitoninë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Presidenti i Maltës, George Vella, në emisionin “Kallxo Përnime” tha se shteti që ai drejton ka nxjerrë mësim dhe se është siguruar që të korrigjohet çdo zbrazëti ligjore në institucionet bankare që ka mundësuar regjistrimin e ‘kompanive guackë’.

“Ky ka qenë një episod i së kaluarës e cila ka kaluar tashmë. Malta ka bërë shumë që të sigurohet se çfarëdo zbrazëtire ligjore në rregullore dhe nëpër institucione të korrigjohet. Sot, ka shumë fokus në pronësinë beneficuese të investitorëve, ka shumë fokus në mbikëqyrjen e hollësishme të regjistrimeve, dhe edhe pse nuk i kam numrat e saktë para vetes, mund t’ju them që pikat e kompanive pas kontrollimit më strikt, janë referuar në institucionet relevante dhe janë gjobitur dhe mund t’ju siguroj që miliona euro janë shqiptuar në formë të gjobave për kompani  për të cilat është parë që nuk kanë qenë 100% në përputhje me rregullat”- tha ai.

Presidenti Vella tha se Malta nuk është ‘parajsë e shpëlarjes së parave’ duke theksuar se nuk janë të interesuar për para të pista.

“Jo, Malta nuk është një parajsë e shpëlarjes së parave. Ajo që dua të them është se sistemi ynë nuk ka qenë 100% i siguruar nga problemet, dhe në momentin që u vendosëm në listën e hirtë ne e kuptuam që ka disa pika që duhet të shtrëngohen dhe përforcohen dhe e bëmë  pikërisht këtë. Ne nuk jemi të interesuar në para të pista, nuk jemi të interesuar në para për të mbështetur terrorizmin apo aktivitetet kriminale, dhe ne duam të sigurohemi që kushdo që mund të regjistrojë investimet e tyre, ne do ta dimë saktësisht se kush janë pronarët beneficues të këtyre fondeve. Përveç kësaj, nuk ia vlen të pasurit e një sistemi ku u thuhet njerëzve që janë kriminelë që ju mund të vini të investoni në Maltë sepse aty është një parajsë e shpëlarjes së parave, sepse ajo nuk është e tillë”- theksoi ai.