Presidenti i Letonisë thotë se e përkrahin Kosovën në aspiratat saj evropiane

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me homologun e saj nga Letonia Egils Levits, ka thënë se kjo vizitë erdhi në një kohë kur Evropa po përballet me një realitet të trishtë.

Ajo potencoi se kërcënimet nga Rusia janë serioze.

“Kjo është vizita e parë e një presidenti nga Letoina, kishim diskutime shumë përmbajtjesore, vizita e tij po ndodhë në një kohë kur kontinenti ynë ballafaqohet me një realitet të trishtë, dy vendet tona do të vazhdojnë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e vendeve tona. Kërcënimet nga Rusia janë të shumta serioze, dhe urgjenca më reale e kontinentit”, ka t hënë Osmani.

Osmani tutje shtoi se ka shprehur mbështetje edhe për vendet baltike që po afektohen nga këto ngjarje.

“Shpreha të njëjtën mbështetje edhe për Letoninë dhe vendet baltike të cilat sot vazhdojnë të afektohen. Duke qenë se Letonia është zë kyç në NATO dhe BE kam kërkuar mbështetjen e presidentit, jam e bindur se me qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe vendosshmërinë tonë për demokracinë dhe lirinë do të sfidojmë kërcënimet nga Serbia dhe Rusia”, ka thënë Osmani.

Derisa presidenti i Letonisë Egils Levits  ka thënë se Kosova dhe vendi i tij ka histori të ngjashme dhe se i kuptojnë aspiratat e Kosovës.

“Letonia dhe Kosova janë miq të afërt dhe ndajmë histori të ngjashme. Ne si shtete demokratike jemi duke mbrojtur demokracinë tonë, pavarësinë tonë. Ne jemi ndër shtetet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, dhe i kuptojmë aspiratat e Kosovës”, ka  hënë ai.

Levits shtoi se siguria në Evropë duhet të ripërtërihet dhe bazohet në realitetin që na duhet të përballemi me Rusinë agresive.

“Arkitektura e sigurisë së Evropë duhet të ripërtërihet dhe bazohet në realitet, realiteti është që duhet të ballafaqohemi më një Rusi agresive. Vendet duhet t`i vendosin aktivitete e mbrojtjes bazuar në realitetin e kohës”, tha ai.

Ai ka thënë se Kosova i përket Këshillit të Evropës dhe mirëpret anëtarësimin e saj.

“Është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet partneritetit për paqe, dhe tani mendoj që është koha e mirë, varet nga NATO. Vendi jonë është duke përkrahur këtë hap. Kosova i përket Këshillit të Evropës sepse është një shtet demokratik që bazohet në sundimin e ligjit dhe në do të mirëpresim anëtarësimin”, ka thënë ai.

Ai shtoi se Letonia e përkrah Kosovën edhe në procesin e liberalizmit të vizave.

Kurse, për dialogun Levits potencoi se e kanë vërejtur që ka probleme dhe shpreson në përparim të këtij procesi.

“Po e vërejë që ekzistojnë probleme sa i përket dialogut, dhe shpresoj që këto bisedime do të përparojnë. Nëse nuk kemi progres të madh kjo nuk duhet të ketë pengesë për Kosovën në drejtime të tjera. Kosova i përket Evropës dhe ne shpresojmë që edhe Kosova dhe Letonia do të përfundojnë me një integrim të plotë në të gjitha forumet dhe organizata ndërkombëtare”, shtoi ai.

Me ftesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Letonisë Egils Levits ka filluar vizitën zyrtare në Kosovë.

https://kallxo.com/lajm/me-pritje-shteterore-presidenti-i-letonise-nis-viziten-ne-kosove/
.