Foto: Atdhe Mulla

Presidenti Biden uron Kosovën për 15-vjetorin e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuar atë Amerikës, Joe Biden, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.

Në këtë letër urimi Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike dhe po ashtu edhe dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin, me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë” – ka shkruan Biden.

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës ndërsa përkujtoni 15 vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj” – thuhet tutje në këtë letër.

Presidenti i Amerikës ka thënë se gjatë viteve Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në mënyrë të barabartë dhe efektive qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dyja vendet.

“Së bashku, ne kemi mbrojtur vlerat tona të përbashkëta – duke përfshirë mbështetjen e popullit të Ukrainës ndërsa ata mbrojnë veten kundër agresionit të padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë” – vazhdon tutje letra e Biden.

Ai gjithashtu është shprehur se mezi pret që të forcohet partneriteti i SHBA-së me Kosovën dhe të thellohet edhe më tej miqësia.

“Në vitin e ardhshëm – ndërsa Kosova vazhdon të zhvillohet dhe të përparojë si një vend multietnik, sovran dhe i pavarur – mezi pres të forcojmë partneritetin tonë dhe të thellojmë miqësinë tonë edhe më tej” – shkruan Biden.

Letra e urimit i është dërguar Osmanit përmes ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.