Presidenti i Kamerunit, Paul Biya, 92 vjeç, fiton mandatin e tetë. Foto: Profili i itj në Facebook
Presidenti 92-vjeçar që kurrë nuk i humb zgjedhjet
Këshilli Kushtetues i Kamerunit shpalli rizgjedhjen e presidentit 92-vjeçar Paul Biya, kreut më të vjetër të një shteti në botë, për mandatin e tetë radhazi, ka raportuar të martën (28.10.2025) televizioni BBC.
Pavarësisht thashethemeve për rezultat të ngushtë dhe pretendimeve për fitore nga sfiduesi i tij kryesor, ish-ministri Issa Tchiroma Bakary, ishte shtuar entuziazmi dhe tensioni në prag të shpalljes të vendimit të së hënës.
Sipas rezultatit zyrtar, Biya fitoi me 53.7 % kundrejt Tchiroma Bakaryt me 35.2 %.
Vendimi i Biyas për të kandiduar për një tjetër mandat shtatëvjeçar, pas 43 vitesh në pushtet, pashmangshmërisht ishte i diskutueshëm. Jo vetëm për shkak të jetëgjatësisë së tij në pushtet, por edhe sepse stili i tij i qeverisjes ka ngritur shumë dilema.
Qëndrimet e gjata jashtë vendit, zakonisht në Hotelin Intercontinental në Gjenevë ose në vende alternative më diskrete rreth qytetit zviceran buzë liqenit, kanë shkaktuar vazhdimisht spekulime rreth shkallës në të cilën ai po e qeveris në të vërtetë Kamerunin – ose nëse shumica e vendimeve merren në të vërtetë nga kryeministri dhe ministrat apo sekretari i përgjithshëm me ndikim i presidencës, Ferdinand Ngoh Ngoh.
Vitin e kaluar, pasi mbajti një fjalim në përkujtim të Luftës së Dytë Botërore në jug të Francës në gusht dhe mori pjesë në samitin Kinë-Afrikë në Pekin një muaj më vonë, presidenti u zhduk nga pamja për gati gjashtë javë pa asnjë njoftim apo shpjegim, duke shkaktuar spekulime rreth shëndetit të tij.
Edhe pasi zyrtarët e lartë pretenduan se ai ishte përsëri në Gjenevë, duke punuar si zakonisht, nuk kishte lajme të vërteta deri në njoftimin e kthimit të tij të afërt në shtëpi në kryeqytet, Yaounde, ku u filmua duke u përshëndetur nga mbështetësit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com