Foto: Presidenca e Kosovës

Presidenca e Kuvendi i Kosovës ndriçohen me flamurin amerikan

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot festojnë 247 vjetorin e pavarësisë.

E për nder të kësaj dite, objekti i Presidencës e i Kuvendit të Kosovës janë ndriçuar me flamurin e SHBA-së.

“Ndriçimi i objektit të Presidencës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Gjatë ditës, krerët e shtetit uruan Shtetet e Bashkuara.

E para e vendit, presidentja Vjosa Osmani tha se më 4 korrik, në Kosovë festojmë lirinë e Amerikës, po aq sa festojmë lirinë tonë.

“Në jetët e shpëtuara, në institucionet e ndërtuara, në çdo rresht të deklaratës së pavarësisë, në çdo njohje të kësaj pavarësie, në çdo sukses e në çdo të arritur” – u shpreh Osmani.

“Më 17 Shkurt, në ditën e pavarësisë së Kosovës, valojnë po aq flamuj të Amerikës sa edhe të Kosovës. Sepse 17 Shkurti dhe 4 Korriku simbolizojnë të njëjtën gjë: LIRINË” – tha e para e shtetit.

“Një liri e ndërtuar mbi aleanca. Një aleancë që do të rrojë po aq sa shteti i Kosovës, përgjithmonë” – shtoi tutje ajo.