Prapaskenat e zgjedhjes së rektorit të Universitetit të Gjilanit

Artan Dërmaku është zgjedhur rektor i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” me votat e këshillit drejtues të këtij Universiteti. Dërmaku ishte në mesin e katër kandidatëve për këtë post.  

Këshilli drejtues, i cili ka qenë edhe komisioni vlerësues për këtë çështje, nuk i ka poentuar fare kandidatët që janë intervistuar por pas intervistimit ka shkuar në votim të fshehtë për ta. Madje, në votim kanë marrë pjesë edhe anëtarët e komisionit vlerësues, të cilët nuk kanë qenë në sallë gjatë intervistimit të kandidatëve.

Rektori i ri i Universitetit e ka mbajtur pozitën e dekanit të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në këtë Universitet. Në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e politikës.

Dërmaku ishte prezantuar si aderim në Lëvizjen Vetëvendosje nga kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

Çka ndodhi gjatë intervistimit të kandidatëve? 

Procesi i intervistimit për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” është mbajtur më 6 korrik 2023. Kandidatët për rektor kanë pasur në dispozicion 30 minuta për të prezantuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të panelit intervistues, i cili është përbërë nga anëtarët e këshillit drejtues. 

Anëtarët e panelit intervistues nuk kanë pasur një listë me pyetje të njëjta për të gjithë kandidatët. Kandidatëve të intervistuar nuk u janë parashtruar pyetjet e njëjta. Prej panelit intervistues të përbërë prej shtatë anëtarëve të këshillit drejtues vetëm Nexhat Daku u ka parashtruar pyetjen e njëjtë katër kandidatëve për rektor. 

Prej anëtarëve të panelit intervistues, katër u kanë parashtruar pyetje kandidatëve ndërsa dy të tjerë jo. Anëtari i shtatë i këtij paneli ka qenë edhe anëtari tjetër i këshillit drejtues të UKZ-së, Urtak Hamiti, i cili nuk ka qenë në disa nga intervistat e kandidatëve nga fillimi deri në fund. Hamiti ka hyrë për pak minuta gjatë intervistimit të kandidatit Artan Dërmaku dhe në fund të intervistës së kandidatit Fadil Osmani. 

Por edhe përkundër kësaj, edhe ata që nuk kanë parashtruar pyetje por edhe Hamiti që nuk ka qenë i pranishëm nga fillimi deri në fund të intervistimit të kandidatëve, kanë marrë pjesë në votim. 

Votimi i fshehtë për rektor 

Anëtarët e komisionit vlerësues nuk e kanë bërë fare vlerësimin e kandidatëve për rektor në mënyrë transparente, por vetëm kanë marrë pjesë në votim për kandidatin e preferuar të tyre. Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” është zgjedhur me votim të fshehtë me tre runde. 

Pas përfundimit të intervistimit të të gjithë kandidatëve, anëtarët e këshillt drejtues kanë shkuar në pauzë për 20 minuta dhe më pas janë kthyer në sallë. Pas kthimit në sallë, anëtari i këshillit drejtues, Urtak Hamiti, ka kërkuar largimin e monitoruesve prej sallës. 

“More, përjashta! Nëse i lë kryesuesi atë punë e dimë. Unë nuk i lë. Nuk ka votim, çao! Përjashta! A don me të nxjerrë jashtë a?” – ka thënë ai ndër të tjera.

Në rundin e parë kanë shkuar në votim katër kandidatë. Dukagjin Leka ka marrë 2 vota; Xhevat Sopi 2 vota dhe Artan Dërmaku 3 vota. 

Procedurat për zgjedhjen e rektorit thonë se në rundin e dytë të votimit duhet të shkojnë dy kandidatët më të votuar. Por për shkak se dy kandidatët Dukagjin Leka dhe Xhevat Sopi kanë pasur pikë të barabarta, anëtarët e KD-së kanë vendosur që fillimisht të shkojnë në votim kandidatët me pikë të barabarta. Në këtë rund të votimit, kandidati Xhevat Sopi ka marrë 4 vota ndërsa Dukagjin Leka 3 vota. 

Gjatë këtij rundi, anëtari i këshillit drejtues të UKZ-së, Urtak Hamiti, e ka mbushur fletëvotimin para anëtarëve të tjerë. Ai e ka deklaruar haptas votën e tij për kandidatin Dukagjin Leka. Fletëvotimi i Hamitit është përsëritur më pas. 

Me shumicë votash, kandidati Xhavit Sopi është kualifikuar për rundin tjetër. Rundi i tretë është zhvilluar mes Artan Dërmakut dhe Xhavit Sopit. Pas kumtimit të këtij rezultati, anëtari i këshillit drejtues të UKZ-së, Urtak Hamiti, nuk e ka pranuar rezultatin.

“Nuk ka këtu 4 me 3. Qysh është 3 me 3, kijamet është. Ose është marrëveshje ose ka konfront. Unë mezi po pres. Jam i lindur për konfront. Ose jemi krejt bashkë ose nuk jemi kërkun” – është shprehur ai.

Edhe gjatë rundit të tretë, në të cilin ishin Xhevat Sopi dhe Artan Dërmaku, anëtari i këshillit drejtues, Urtak Hamiti, me fletovotim në dorë te kabina është kthyer në drejtim të anëtarëve duke u thënë se fletëvotimi është gabim sepse aty nuk është emri i kandidatit Dukagjin Leka. 

“Gabim e ke, ku është Dukagjin Leka more? O gabim është. Ju po doni kështu a?”- u është drejtuar ai anëtarëve. 

Anëtarja e këshillit drejtues, Arta Istrefi, ia ka shpjeguar se përse emri i Dukagjin Lekës nuk është në fletëvotim.

“Nuk është fletëvotimi gabim sepse dy kandidatë kanë shku në rundin e tretë. Në mes këtyre dyve” – ka thënë ajo.

Pas kësaj, Urtak Hamiti ka lëshuar fletëvotimin në tavolinë dhe ka dalë nga salla. Në këtë rast, fletëvotimi i tij është shpallur i pavlefshëm. 

Hamiti më pas është kthyer në sallë dhe ka pritur rezultatin. 

Në rundin e fundit, me 4 vota, Artan Dërmaku është zgjedhur rektor i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”. 

Dërmaku kishte qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. I njëjti ishte emëruar edhe anëtar i bordit të “Infrakos”-it në vitin 2020 nga Qeveria Kurti. 

Në garë për rektor të Universitetit të Gjilanit ishin katër kandidatë: Xhevat Sopi, Dukagjin Leka, Fadil Osmani dhe Artan Dërmaku.

Kandidatët janë intervistuar nga këshilli drejtues i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, i përbërë nga, Ilir Gjinolli kryesues, Arta Istrefi, zv.kryesuese e emëruar nga Ministria e Arsimit, Agron Hajdari, anëtar i emëruar nga Ministria e Arsimit dhe anëtarët e emëruar nga Senati i UKZ-së, Urtak Hamiti, Nerxhivane Krasniqi, Selim Daku dhe Nexhat Shkodra. 

Procesi i zgjedhjes së rektorit është monitoruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Lëvizja Fol dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.