Artan Dërmaku

Dërmaku: Studentët e fushës së teknologjisë nuk po aftësohen për tregun e punës

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për potencialin e Kosovës në fushën e teknologjisë.

Artan Dërmaku, dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Gjilanit, tha se studentët në sistemin arsimor të Kosovës nuk aftësohen për tregun e punës.

“Fatkeqësisht mundemi me thënë që studentët në Kosovë në të gjitha universitetet dhe institucionet e arsimit, qoftë publike apo private, nuk janë 100% të aftë për të dalë në treg në momentin që e kryejnë. Sepse kjo varet edhe prej profilit të kompanisë që kërkon të ketë kushte të ndryshme që gjatë studimeve nuk i ka bërë, por në përgjithësi unë nuk jam i kënaqur me ato se çka mundemi me ofru në Kosovë”, tha Dërmaku në ‘Kallxo Përnime’.

Sipas tij, ka shumë studentë që studiojnë për fushën e teknologjisë, por kualiteti i studimeve lë për të dëshiruar.

“Në aspektin e numrave përafërsisht mundem me thënë që numër ka mjaftueshëm që vijojnë studimet në shkencat kompjuterike, por problemi është në kualitetin e studimeve që ata i përfundojnë”, tha më tej Dërmaku.