Ministrja Hajdari konfirmon që anëtari i bordit në Infrakos është i LVV-së
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, e ka konfirmuar se dy anëtarët, Mentor Hyseni dhe Artan Dërmaku janë emëruar në borde të ndërmarrjeve publike dhe janë pjesë e partisë Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo ka thënë emërimet janë të përkohshme dhe të dytë janë profesionistë të fushave.
“Dje në mbledhjen e Qeverisë kemi shkarkuar bordet ekzistuese e më pas kemi emëruar bordet e përkohshme për Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos dhe KRU “Prishtina”. Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët. Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike”, ka shkruar në Facebook Rozeta Hajdari.
“Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani”, ka shkruar ministrja Hajdari.
Mbrëmë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 21 shkarkoi disa borde dhe bëri disa emërime të përkohshme.
Ndër ta ishte edhe Mentor Hyseni, ish0kandidat për deputet nga LVV-së në zgjedhjet e fundit.
Qeveria Kurti emëron përkohësisht në krye të bordit të Ujësjellësit anëtarin e LVV-së
www.kallxo.com