Pjerrinat e vendosura në Universitetin e Gjakovës, Foto: KALLXO.com

Sfidat e shkollimit të studentëve me nevoja të veçanta

Mes sfidës për shkollim, vështirësive shëndetësore dhe paragjykimeve të shoqërisë, Albert Baruti, student me nevoja të veçanta është në përfundim të studimeve Bachelor në drejtimin e Inxhenierisë Ushqimore, në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Dilema për të studiuar ‘Shkenca Politike’ në Prishtinë ose ‘Inxhinieri Ushqimore’ në Mitrovicë, u zgjidh pas konsultimeve me prindin e tij. Alberti kishte vendosur që të studionte për ‘Inxhinieri Ushqimore’, për shkak se fakulteti ishte në qytetin në të cilin jeton ai.

“Edhe unë jam si ju, vetëm se e kam të ecurën e ngadalshme”, thotë Alberti për derisa shpjegonte për paragjykimet me të cilat ishte përballur në fillim të studimeve.

Vendosja e pjerrinave, ashensorëve, tualete të qasshme, shenjëzimi i parkingut, janë disa nga lehtësitë që i’u jepen personave me nevoja të veçanta që të kryjen punë më lehtë.

Në shtatë Universitet Publike në Kosovë janë të regjistruar 23 studentë me nevoja të veçanta.

Sipas të dhënave në Agjencinë e Statistikave të Kosovës në Arsimin Universitar për vitin 2019/2020 kanë qenë të regjistruar 73 mijë e 604 studentë, prej tyre në universitetet publike kanë qenë 58 mijë e 879 studentë, ose 80.0%.

Pjerrinat e vendosura në Universitetin e Gjakovës, Foto: KALLXO.com

Në të gjitha Universitet publike janë të vendosura pjerrinat, përveq në fakultetin Filologjik, Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’.

“Sa i përket infrastrukturës, përveç Fakultetit të Filologjisë, Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore dhe Fakultetit të Arteve në ndërtesën në rrugën ‘Agim Ramadani’, të gjitha objektet e tjera të UP-së kanë pjerrina dhe janë të qasshme për studentët me nevoja të veçanta”, thuhet në përgjigjen e UP-së.

Mungesa e pjerrinave në Fakultetin Filologjik në Unversitetin e Prishtinës, Foto:KALLXO.com

Rëndësia e shenjëzimit të vendparkingjeve

Rrugën nga shtëpia deri të fakultetit dhe anasjelltas studenti Baruti shpeshëherë e bënte me babain e tij me veturë ose me taksi, deri sa ai të zbriste, vetura duhej të parkohej në vendin i cili ishte i caktuar për personat me nevoja të veçanta.

“Kurrë nuk do e harroj, në objektin e vjetër të Fakultetit të Mitrovicës, taksi më dërgoj deri tek hyrja e fakultetit dhe aty pata një mosmarrveshje me sigurimin tek dera, sepse më qortoi pse taksi kishte shku deri aty”, tregon studenti.

Të gjitha Universitet kanë pohuar se kanë hapësira të mjaftueshme për parking të veturave të studentëve me nevoja të veçanta, por vetëm Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” ka deklaruar se është e shenjëzuar hapësira e vendparkingjeve për këtë kategori.

Vendparking për persona me nevoja të veçanta/Ilustrim

“Sa i përket hapësirave për parking të dedikuara për persona me nevoja të veçanta, ju njoftojmë se nuk ka asnjë shenjë të vendosur për parking, mirëpo kompania e kontraktuar për sigurimin e objekteve të UHZ-së e mbikqyr çështjen e parkingut për automjetet zyrtare të UHZ-së, vizitorëve apo automjeteve të studentëve të lajmëruar si persona me nevoja të veçanta”, thuhet në përgjigjen e Universitetit “Haxhi Zeka”, në Pejë.

Por, për studentin Albert Baruti, vendi ku parkohen veturat dhe objekti ku mbahen ligjëratat në Universitetin e Mitrovicës janë në distancë.

“Për parking nuk ka afër hyrjes kryesore, duhemi me i parku veturat tek ‘Rektorati’ dhe me ec në këmb deri tek hyrja e fakultetit, sepse janë ndalesat”, shprehet ai.

Ashensori si shkallë alternative

Në raste se kur studentët me nevoja të veçanta kanë nevojë të ngjiten në sallat e mësimit në katet më lartë, ata me lehtësi mund të shkojnë me anë të ashensorit, por në rast se në fakultet nuk ka ashensor, atëher ligjëratat duhet të zhvillohen në katin e parë të objektit.

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë nuk ka të vendosur ashensor.

Sipas këtyre Universiteteve ndërtimi i objekteve të reja me infrastrukturë të përshtatshme për studentët me nevoja të veçanta është planfikuar për të ardhmen.

“Lift tani për tani nuk kemi por është planifikuar për të ardhmen”, thuhet në përgjigjjen e Universitetit “Kadri Zeka”.

Ashensori i vendosur në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Foto KALLXO.com

Ndërsa, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren ashensori mungon vetëm në Fakultetin e Edukimit, kurse në UP ashensor ka të vendosur në shtatë objekte.

Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Unversitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë ka ashensorë në objektet e fakulteteve.

Qasja e studentëve me nevoja të veçanta në tualete

Tualetet e ndërtuara në objektet e Universitetit të Prishtinës, Universitetit të Pejës, Universitetit të Gjakovës dhe Universitetit të Gjilanit nuk janë të ndërtuara sipas standarteve për qasje të studentëve me nevoja të veçanta.

“Sa i përket tualeteve, ato nuk janë të punuara sipas standarteve të kërkuara për çasjen e personave me nevoja të veçanta për arsye se ne si institucion kemi trashëguar objekte të vjetra nga institucionet që kanë pasur fushëveprimtari tjetër nga ajo që sot Universiteti ‘’Haxhi Zeka’’ në Pejë zhvillon”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Pejës.

Ndërsa, në përgjigjet e UP-së thuhet se deri më tani komisionet përgjegjëse nuk kanë bërë ndonjë kërkes për tualetet të cilat janë më lehtë të qasshme për studentët me nevoja të veçanta.

“Për shkak që deri me tani, komisionet përgjegjëse brenda UP-së, nuk kanë parashtruar ndonjë kërkesë, objektet e fakulteteve të UP-së nuk kanë nyje sanitare”, është thënë në përgjigjjen e UP-së.

Në Universitetin e Ferizajit, Universitetin e Mitrovicës dhe Universitetin e Prizrenit, tualetet janë të qasshme për studentët me nevoja të veçanta.

“Në të gjitha katet e objektit ku mbahet mësimi dhe po ashtu në rektorat ka tualete për persona me nevoja të veçanta”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Mitrovicës.

Me anë të gjithëpërfshirjes së studentëve në arsim universitar ata janë të barabartë me të gjithë moshatarët e tyre.