Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Politikat që do të shtyjnë përpara kandidatet gra për Asamblenë e Dragashit

Kandidatet gra për asambliste në Kuvendin Komunal të Dragashit kanë shpalosur prioritetet e tyre në Debat Pernime, nëse arrijnë të sigurojnë mandat në zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja e LVV-së për asambliste, Afrore Vejseli ka thënë se komuna ka nevojë për frymë të re për të ndërruar perspektivën me qasje pozitive. Vejseli ka thënë se do të punojë për shëndetësinë, arsimin e barazinë gjinore.

“Unë jam e gatshme të punoj dhe tu shërbejë me ndershmëri qytetarëve. Do të jem zë që të ketë barazi gjinore në institucionet komunale. Do të jem shtytëse për projektet që përmirësojnë transportin publik për qytetarët e komunës sime. Do të përkrah procese që përmirësojnë infrastrukturën bazë dhe shërbimet publike. Në arsim do të kërkoj që të mbështesë gratë në teknologji dhe shkencë. Në shëndetësi do të bëj që të sigurojmë shërbimet e gjinekologjisë në Sharr”, ka thënë Vejseli.

Kurse, kandidatja tjetër Dijamina Lutfiu nga radhët e PDK-së u shpreh se do të punojë për gratë dhe rininë.

“Si prioritet kryesor do të kem fuqizimin e femrës për edukim, shkollim dhe punësim. Do të luftoj për barazi gjinore dhe do të luftoj kundër dhunës në familje. Po ashtu do të punojë edhe për të rinjtë”, ka thënë Lutfiu.

Kandidatja për asambliste nga radhët e LDK-së, Xhylferie Bahtijari Beqiri në Debat Pernime ka thënë se do shtyjë përpara çështje që kanë të bëjnë me ekonominë.

“Mendoj të fokusohem më shumë në pjesën ekonomike dhe financiare për të sjellë përvojën time kombëtare dhe ndërkombëtare. Do të luftoj parregullsitë në buxhetin e komunës”, ka thënë Bahtijari Beqiri.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Dragashit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Dragashit: Agron Gashi nga AAK; Bexhet Xheladini nga LDK; Kaltrina Salihu nga LVV; Shaban Shabani nga PDK dhe Xhevdet Tahiri nga BKK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Dragashit: Afrore Vjeseli nga LVV; Dijamina Lutfiu nga PDK dhe  Afrore Vjeseli LVV dhe Xhylferie Bahtijari Beqiri nga LDK.