Ilustrim

Policia sekuestron 3 mijë kilogram mish me prejardhje nga Brazili

Patrullat e Policisë kufitare të stacionit policor për mbikëqyrje të Kufirit-Zhegër kanë sekuestruar një sasi prej 3 mijë kilogram mish me prejardhje nga Brazili që po kontrabandohej.

Sipas policisë, mishi u gjet në një kombi pa targa, i drejtuar nga një burrë më shtetësi kosovare i cili kishte hyrë ilegalisht nga territori i Maqedonisë së Veriut.

“Si rezultat i angazhimeve policore, më 19.02.2022, rreth orës 12:30, bazuar edhe në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohen një automjet kombi (furgon) pa targa, i drejtuar nga një mashkull kosovar i cili përmes rrugëve ilegale kishte hy në vendin tonë nga territori i Maqedonisë”, thuhet në raportin e policisë.

I dyshuari është kapur në fshatin Kabash të Vitisë, përkundër përpjekjeve të tij për t’u larguar.

Në raport potencohet se, gjatë kontrollit të automjetit është gjetur mall i kontrabanduar, 108 pako me gjithsej 3,000 (tre mijë) kilogram mish i kuq me prejardhje nga Brazili.

Në njoftimin e policisë theksohet se në bashkëpunim me prokurorinë, pas hetimeve preliminare malli i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganës.