Policia për aksionin e PSD: Është suspenduar një zyrtar policor

Një zyrtar i Policisë së Kosovës është suspenduar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK), ndërsa Policia ka dhënë sqarime për arrestimet ndaj aktivistëve të PSD-së, duke thënë se është zbatuar ligji.

Përmes një komunikate, Policia ka thënë se protesta e PSD-së ishte e pa paralajmëruar.

Tutje, Policia ka bërë të ditur se protestuesit kanë dëmtuar 29 vetura zyrtare.

Policia ka njoftuar se një zyrtari policor është suspenduar ndërsa ndaj disa zyrtarëve të tjerë është iniciuar procedurë disiplinore për përgjegjësi menaxheriale.

“Bazuar në procedurat e parapara ligjore ka njoftuar Inspektoratin Policor, i cili ka filluar hetimet penale lidhur me këtë rast, përderisa në këtë fazë ndaj mbikëqyrësit i cili ka menagjuar me veprimet policore është shqiptuar masa e suspendimit, ndaj të cilit njëkohësisht  është iniciuar edhe procedura për përgjegjësi komanduese. Po ashtu ndaj mbikëqyrësve tjerë kompetentë është iniciuar procedura disiplinore për përgjegjësi menaxheriale”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka arsyetuar veprimet e saja duke thënë ato janë ndërmarrë për të parandaluar dëmtimin e pronës publike.

“Referuar situatës së krijuar, prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe dëmtimit të pronës publike, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime për të parandaluar dëmtimin e pronës publike, mirëpo protestuesit duke mos iu bindur urdhrave të ligjshëm të zyrtarëve policorë, vazhdimit të dëmtimit të pronave publike si dhe sulmit fizik ndaj zyrtarëve policorë,  të njëjtit janë detyruar të ndërmarrin veprime policore për të vënë situatën në kontroll dhe për të parandaluar dëmtimin e mëtejmë të pronave publike”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, nga 8 të arrestuarit gjatë protestës, ndaj njërit prej tyre është inciuar rasti ‘sulm ndaj personit zyrtar’ i cili është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve me udhëzim të prokurorit për mosbindje të urdhrave i është shqiptuar kundërvajtje.

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) janë arrestuar sot gjatë aksionit të tyre për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

PSD përmes rrjetit social “Facebook” ka kërkuar urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë.

Arrestohen tetë aktivistë të PSD-së (FOTO)