Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia në Ferizaj shqipton 169 gjoba dhe mbyll 4 lokale të natës për mosrespektim të masave

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 169 gjoba ndaj qytetarëve të cilët nuk i kanë respektuar masat anti-Covid-19, ndërsa janë mbyllur edhe 4 lokale të natës, 2 asistime Inspektorëve Sanitarë të komunës dhe 2 asistime Shërbimeve Spitalore në Ferizaj.

Në njoftimin e Policisë thuhet se ekipe të përbashkëta të policisë kanë shtuar aktivitetet e tyre në rajonin e Ferizajt, në zbatim të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, do të vazhdojë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, në parandalim dhe respektim të masave Civid-19, sipas vendimit të Qeverisës së Republikës së Kosovës” thuhet në njoftim.

Policia përmes këtij njoftimi apelon qytetarët dhe pronarët e lokalëve, sidomos atyre klubeve të natës dhe ahengjet, që ti respektojnë masat e parapara ligjore me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe shëndetit publik.

“Në vendimin e Qeverisë së RKS-së , kujtojmë pronarët e lokaleve të ndryshme që, ndër tjerash , Pika F , paragrafi 16 e precizon saktë , se nga data 20 gusht 2021, deri me datën 01 shtator 2021 , ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave , ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës , në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës” thuhet tutje në njoftimin e PK-së.

Po ashtu DPR në Ferizaj fton qytetarët që nëse kanë informacione se persona, apo vende të caktuara nuk respektohen masat Covid-19, të lajmërojnë menjëherë policinë, në stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.