Ilustrim

Policia jep detaje për sulmin ndaj ekipit të Nacionales në Spitalin e Gjakovës

Kameramani i mediumit Nacionale, Arbër Latifi, është sulmuar fizikisht dje në afërsi të Spitalit në Gjakovë, nga sigurimi i këtij spitali.

Kjo ishte bërë e ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët kishin treguar se i dyshuari ishte arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës.

Në raportin e sotëm 24-orësh policor është thënë se ngjarja është iniciuar si lëndim i lehtë trupor, sulm dhe kanosje.

“Është arrestuar i dyshuari, punëtor i sigurimit në Spitalin Isa Grezda në Gjakovë, për shkak se i kishte sulmuar fizikisht dy viktimat, gazetarë” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se si pasojë e sulmit njëri prej viktimave ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor.

“I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje” – njoftoi tutje PK.

Sipas AGK-së, kameramani Latifi së bashku me gazetaren, Gentiana Hasani, kishin shkuar në Spitalin e Gjakovës për të raportuar rreth ndërprerjes së të gjitha operacioneve që ishte bërë me arsyetimin e temperaturave të larta.

Po ashtu, AGK ka bërë të ditur se kameramani ka marrë ndihmë mjekësore.

Asociacioni i Gazetarëve ka thënë se shprehen tejet të shqetësuar me sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales, dhe po ashtu iu kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet rastin.