Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia jep detaje për policin 39 vjeçar që vdiq nga COVID-19

Ilir Gjoka, 39 vjeçar i cili punonte në Njësitin e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Gjakovës ka vdekur mbrëmë si pasojë e infektimit me coronavirus.

Policia e Kosovës me anë të një njoftimi ka thënë se i njëjti nga data 7 korrik kishte lajmëruar se është në pushim mjekësor për shkak të problemeve me bosht kurrizor e më pas nga data 11 korrik është hospitalizuar në repartin pulomologjik për shkak të problemeve me frymëmarrje.

“Pas testeve të kryera, me datë 14.07.2020 kishte rezultuar pozitiv në Covid 19, ndërsa me datë 15.07.2020 është transferuar për trajtim mjekësor në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës

Policia ka thënë se përmes DRP Gjakovë, Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore në bashkëpunim me ekipet mjekësore janë përkujdesur në vazhdimësi për zyrtarin policor, dhe tani me rastin e humbjes së tij ju shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Që nga paraqitja e pandemisë e deri më sot, Policia e Kosovës ka njoftuar se 154 zyrtar policor kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, prej tyre janë shëruar 77  zyrtar policor, ende aktiv në trajtim janë 76 zyrtar policor.

“Policia e Kosovës (PK), referuar situatës dhe rrethanave të krijuara që nga paraqitja e pandemisë ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, të bazuara në vendimet e institucioneve të Kosovës dhe planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus-it COVID-19”, thuhet në njoftimin e PK-së.