Ilustrim

Policia i ndalon vozitjen shoferit pasi tejkaloi shpejtësinë në aksin rrugor Gjilan- Ferizaj

Gjatë ditës së sotme, një shofer i një automjeti është gjobitur me gjobë prej 300 eurove dhe ndalimin e vozitjes për 3 muaj pasi policia hasi të njëjtin duke vozitur jashtë kufizimit të shpejtësisë së lejuar.

Policia e Rajonit të Gjilanit ka njoftuar se njësiti rajonal i komunikacionit rrugor Gjilan në pikën e kontrolli të automjeteve në aksin rrugor Gjilan-Ferizaj, ka hasur në një kundërvajtës i cili në zonën ku kufizimi i shpejtësisë së lejuar është 40 kilometra në orë, duke vozitur me shpejtësinë 114 kilometra në orë.

Në bazë të gjobës, policia e kishte ndaluar vozitësin rreth orës 00:15, pra sot pas mesnatës ndërsa mjeti i identifikimit që vozitësi i ka paraqitur policisë shihet se është shtetas i Zvicrës.

Policia ka njoftuar tutje se përveç gjobës vozitësi ka marrë edhe masë të përkohshme të ndalimit të vozitjes.

Gjithashtu në të njëjtin njoftim, policia ka apeluar te vozitësit që të respektojnë rregullat e trafikut e gjithashtu kanë bërë thirrje te qytetarët dhe pjesëmarrësit e tjerë të trafikut që të lajmërojnë policinë për veprimet e kundërligjshme në komunikacion.