Policia gjen në kufi me Maqedoninë e Veriut veturën e vjedhur sot në Prishtinë (VIDEO)

Vetura e vjedhur sot gjatë ditës në Prishtinë është gjetur afër kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Policia e Kosovës ka njoftuar se vetura e vjedhur sot gjatë ditës në Prishtinë është lokalizuar në komunën e Vitisë, afër kufirit me Maqedoninë e Veriut.

“Pas angazhimeve të zyrtarëve policorë dhe bashkërendimit te veprimeve hetimore dhe operative ne mënyrë profesionale Policia e Kosovës ka arritur që veturën në fjalë ta gjejë dhe lokalizojë në një lokacion në komunën e Vitisë, afër kufirit me Maqedoninë e Veriut”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Policia thotë se janë duke kryer hetime për të identifikuar personin e dyshuar, pasi që vetura ka qenë e braktisur.

“Ndërsa veprime tjera policore janë ende në proces për identifikimin dhe gjetjen e personit të dyshuar i cili ka braktisur veturën për t’iu shmangur arrestimit nga Policia”, ka thënë Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Sot pasdite, rreth orës 15:00 në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet, afër shkollës “Asim Vokshi”, vetura ishte vjedhur nga një person i panjohur.

KALLXO.com kishte siguruar videon e grabitjes së veturës.

www.kallxo.com