Policia ende nuk ka pranuar kërkesë për asistencë për lirimin e objektit në Lagje të Boshnjakëve

Gjatë ditës së sotme përfundon ultimatumi që Komuna Mitrovicës i ka dhënë strukturave paralele serbe që të largohen nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve.

Policia e Kosovës herën e kaluar më 22 gusht kur ishte dërguar fillimisht vendimi për largim nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve te nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiq, kishte bërë asistim pas kërkesës së komunës ndërsa sot ende nuk ka marrë një kërkesë të tillë.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com edhe Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.

Ai ka thënë se në rast se ju kërkohet asistenca janë të gatshëm të veprojnë.

“Nuk ka ndonjë kërkesë për asistim për rastin e ultimatumit. Çka mund të them është se ne jemi të gatshëm të veprojmë në çfarëdo ore në rast se kërkohet asistenca jonë” – tha Elshani.

Sot është afati të cilin ia ka dhënë Komuna e Mitrovicës së Veriut, institucioneve të strukturave paralele serbe për të liruar objektin me ngjyrë të kuqe që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve.

KALLXO.com mëson së punëtorët serbë qëndruan mbrëmë gjatë gjithë natës brenda objektit.

Në këtë objekt është e vendosur Zyra për Fondin Pensional dhe tri institucione të tjera paralele serbe: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.

Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dhënë ketë afat nën arsyetimin që ka inspektorati komunal se nga punëtorët nuk ka marrë dokumentet në bazë të të cilave institucionet e Serbisë shfrytëzojnë këtë objekt komunal.

Pra, Inspektorati Komunal pretendonte se disa institucione paralele serbe po shfrytëzojnë objektet komunale e që nuk kanë të drejtë ta bëjnë atë.

Në raportin që më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, thuhej se zyrtarët serbë, kanë qenë të informuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe të paraqesin dokumente për shfrytëzimin e këtij objekti.

E në po të njëjtin raport kërkohej që të ‘lirohej’, ky objekt.

Lista serbe menjëherë doli me një reagim në të cilin tha se institucionet e Kosovës po tentojnë të marrin hapësirat e tyre.

Tri ditë më vonë, ishte Kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq i cili mori vendosi që të shtyhet afati për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve.

Ky ultimatum vlen deri sot.

Punëtorët e strukturave paralele serbe qëndruan gjithë natën brenda objektit në Mitrovicë të Veriut

Sot afati i fundit që ‘strukturat paralele’ ta lirojnë objektin në Mitrovicë të Veriut