Policia e Kosovës patrullon me barka në Ujman - VIDEO

Policia e Kosovës njofton se Njësia për Ndërhyrjen e Shpejtë e Policisë Kufitare ka patrulluar me barka lundruese në liqenin e Ujmanit.

Ky patrullim, sipas PK vjen në kuadër të realizimit të detyrave të përgjithshme si: Mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve, mbrojtja e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim, parandalimi i rrezikut, hetimi dhe zbulimi i veprave penale etj, deri tek menaxhimi i kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës.

“Patrullimet si ky i fundit, përveç mbikëqyrjes së kufirit ujor, parandalojnë edhe veprat penale në kufij, ofrojnë siguri territoriale të ujërave, parandalojnë kalimet ilegale, kontrabandimin e mallrave, peshkimin ilegal si dhe ofrojnë mbrojtjen ekologjike ujore.”

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme në vend dhe menaxhimin e kufirit shtetëror, bazuar në mandatin e saj kushtetues dhe ligjor”- thuhet në komunikatën e Policisë.