Foto: Kosovo Police

Policia e Kosovës parandalon kontrabandimin e 2 mijë kilogramëve mjaltë

Njësia patrulluese e policisë kufitare të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-Zhegër ka parandaluar kontrabandimin e 2 mijë kilogramëve mjaltë.

Sipas Policisë, në pjesën malore të fshatit Debellde është hasur një automjet furgon me ngjyrë të bardhë në të cilin kishte 2 mijë kilogramë mjaltë.

“Dyshohet se drejtuesi i automjetit kishte shfrytëzuar rrugët malore, ilegale për të kontrabanduar mjaltin nga Republika e Maqedonisë Veriore për në Republikën e Kosovës”, njofton Policia.

Drejtuesi i automjetit duke shfrytëzuar terrenin malor, ka arritur të ikë dhe siç njofton Policia, automjeti dhe ngarkesa janë konfiskuar.

“Rasti është duke u trajtuar si ‘kontrabandë me mallra’ nga hetuesit policorë të Njësisë së Hetimeve Rajonale të Drejtorisë Kufitare Lindje”, thuhet më tutje.

Ky rast do të trajtohet në bashkëpunim me organet e drejtësisë ndërsa automjeti dhe ngarkesa do të dorëzohen në Doganën e Kosovës.

Foto: Kosovo Police