Policia e Kosovës në aksion - Foto: KALLXO.com

Inspektorati i Tregut, Dogana e Policia me aksion në Prishtinë, sekuestrojnë mjaltë e shamponë pa origjinë

Policia e Kosovës në koordinim e bashkëpunim edhe me Inspektoratin e Tregut nga Ministrisë përkatëse dhe njësitet e doganës dje kanë realizuar një aksion në Prishtinë.

Gjatë këtij operacioni policor në një subjekt biznesi kanë gjetur e sekuestruar një sasi të konsiderueshme të mallrave.

Në raportin e PK-së është thënë se kanë sekuestruar suplemente të ndryshme si mjaltë për përdorime të ndryshme për potencë e të ngjashme, shamponë të ndryshëm e të tjera, të cilat dyshohet se janë pa origjinë.

Ngjarja sipas Policisë ka ndodhur në Prishtinë më 5 dhjetor, përderisa aksioni policor është kryer dje.

PK tha se lidhur me rastin është intervistuar një i dyshuari, i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti, i cili është në hetime është iniciuar si “Kontrabandë me mallra”.