Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Bastisje në Leposaviq, Policia has në gjashtë biznese të paregjistruara

Policia e Kosovës ka bastisur sot tetë lokacione në rajonin e Leposaviqit, ku janë hasur gjashtë biznese të paregjistruara.

Sipas zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Rajonit Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, bastisja ka ndodhur në dy lokacione në Soqanicë, dy në Kamen dhe katër lokacione në Leshak.

Ndërsa është bërë e ditur se dyshimi ka qenë për mall të kontrabanduar.

“Nga këto biznese 2 kanë qenë të regjistruara e 6 të paregjistruara. Dyshimi ka qenë për mall të kontrabanduar me ç’ rast në bastisje janë thirrur edhe Njësiti Anti-Kontrabandë i Doganës, Krimet Ekonomike dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Nuk ka të arrestuar, ndërsa konfiskimet e mallit janë menaxhuar nga Njësiti Anti-Kontrabandë i Doganës”- ka thënë Elshani për KALLXO.com.

Policia tutje u ka bërë thirrje qytetarëve të veriut të Kosovës që t’i regjistrojnë bizneset e tyre dhe mos të vënë në qarkullim mallra të kontrabanduara.