Policia e Kosovës e arreston një shtetas të Serbisë, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar

Policia e Kosovës të hënën e ka arrestuar një person 44-vjeçar, shtetas i Serbisë, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar, i dyshuar për grabitje të armatosur në një shtet tjetër.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, në këtë fushëveprim referuar bashkëpunimit ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, dje ka arrestuar një person të dyshuar (i gjinisë mashkullore, serb, viti i lindjes 1977) i cili është në kërkim nga autoritetet ndërkombëtare dhe i cili dyshohet për kryerje të veprës penale ‘grabitje të armatosur në një shtet tjetër’”, ka thënë ai.

Sipas Hoxhës,  me vendim të prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë, përderisa nga autoritetet e Republikës së Kosovës në proces janë procedurat për ekstradim.