Policia e bind qytetarin, ai tërhiqet nga diga e liqenit të Livoçit pas 4 orëve

Qytetari që qëndroi për më shumë se 4 orë në digën e Liqenit të Livoçit, pas shumë diskutimeve është bindur dhe është tërhequr, njofton Policia e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani.

Ai momentalisht është në përkujdesjen e mjekëve.

“Ju njoftojmë se personi i cili dyshohej se ka tentuar ta lëndoj vetën te penda e fshatit Livoç i Epërm, tani njësitet ndihmëse kanë arritë që ta bindin dhe personi është arritur që të tërhiqet nga muri, personi është marrë nga ndihma e shpejtë dhe tani është në përkujdesje të mjekëve. Njësitet tjera janë tërhequr nga vendi i ngjarjes” – ka thënë Hashani për KALLXO.com.

Policia ka njoftuar se njësitet hetuese janë duke i hetuar rrethanat e këtij rasti.

KALLXO.com ka raportuar më parë se një qytetarë është duke qëndruar në digën e Liqenit të Livoçit.

Ekipet e sigurisë munduar ta mbajnë situatën nën kontrollë, duke negociuar për më shumë se 4 orë me personin.

Për disa minuta KALLXO.com ka parë nga afër se psikologia ka komunikuar me personin përmes telefonit për ta bindur që i njëjti të mos kryej veprime vetlënduese.

Në vendin e ngjarjes kanë qenë forca të shumta të Policisë së Kosovës, njësitë e reagimit të shpejtë, zjarrfikësit dhe po ashtu edhe dy prokurorë janë në vendin e ngjarjes.