Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia deklarohet për suspendimin e drejtorit në Mitrovicë të Veriut

Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë ka suspenduar nga detyra drejtorin rajonal të policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq.

“Më datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare”- thuhet në njoftim.

Sipas policisë, suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.

Policia e Kosovës, tutje potencon se do të vazhdojë angazhimet  në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj thekson se nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së.

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e Drejtorit Rajonal të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq.

Siç mëson KALLXO.com, Gjuriq nuk ka rezistuar, por ka shkuar në Drejtori të Përgjithshme të Policisë dhe ka pranuar rekomandimin për suspendim.

​​Drejtori i policisë në veri pranon vendimin dhe dorëzon armën

Sipas IPK-së, Gjuriq dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrje për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjuriq dyshohet se po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve për shoferët që kanë vetura me targa me akronimet e qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq më 2 nëntor dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

Gjuriq i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).

Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe Drejtoria e Përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

Detaje nga rekomandimi i IPK-së për suspendim të drejtorit të policisë në veri