Detaje nga rekomandimi i IPK-së për suspendim të drejtorit të policisë në veri

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e Drejtorit Rajonal të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq.

Sipas IPK-së, Gjuriq dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrje për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative. Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

Siç mëson KALLXO.com, ai po dyshohet se po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve për shoferët që kanë vetura me targa me akronimet e qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq më 2 nëntor dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

Gjuriq i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).

Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe Drejtoria e Përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.