​​Drejtori i policisë në veri pranon vendimin dhe dorëzon armën

Drejtori i Policisë në veri të Kosovës, Nenad Gjuriq është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Siç mëson KALLXO.com, Gjuriq nuk ka rezistuar, por ka shkuar në Drejtori të Përgjithshme të Policisë dhe ka pranuar rekomandimin për suspendim.

Në bazë të rregullave dhe procedurave në rast se një zyrtar policor suspendohet atij i merret edhe arma zyrtare.

Ngjashëm është vepruar siç mëson KALLXO.com edhe për Gjuriq.

Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi sot për rekomandimin për suspendimin e drejtorit të policisë në veri të vendit.

Ai po dyshohet se me deklaratat e tij mohuese për shqiptim të qortimeve ndaj qytetarëve serb për targat, ka kryer veprat penale të sabotimit dhe thirrjes për rezistencë.

Përkrah suspendimit, IPK ka thënë se kishte ndërmarrë menjëherë hetimin për rastin ndaj drejtorit rajonal të policisë në veri.

Gjuriq kishte thënë se nuk mund të zbatojnë vendimin e qeverisë në lidhje me targat pasi që si vendim është politik dhe i drejtuar kundër komunitetit serb.

Detaje nga rekomandimi i IPK-së për suspendim të drejtorit të policisë në veri