Dyshimet për thirrje për rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve, IPK rekomandon suspendimin e drejtorit të policisë në veri

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Siç mëson KALLXO.com, kjo për arsye se ai po dyshohet se po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq më 2 nëntor dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

Gjuriq i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).

Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe Drejtoria e Përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.

Njohësit e sigurisë e shohin problematike konvertimin e targave ilegale në RKS