Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia aksion në Lipjan, arrestohen katër persona të dyshuar për disa vepra penale

Policia e Kosovës përmes një aksioni ka arrestuar katër persona të dyshuar në disa lokacione të ndryshme në komunën e Lipjanit.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot njësitet policore të Lipjanit, kanë përfunduar një operacion të nisur dje i cili ka rezultuar me arrestimin e katër  personave të dyshuar për të cilët kishte urdhëresa të gjykatës. Aksionet janë ndërmarrë në katër lokacione të ndryshme, përkatësisht në fshatin Zllakuqan, Mirenë, Baicë dhe në Janjevë ku janë arrestuar katër persona të dyshuar dhe janë realizuar 4 urdhëresa te gjykatës”, ka theksuar Ahmeti.

Sipas saj, ndaj personave të dyshuar kishte urdhëresa të gjykatës.

“Për personat e arrestuar, kishte urdhëresa aktive të gjykatës për veprat  vjedhje e rëndë në tentativë, dëmtim prone dhe dy lëndime trupore. Personat e arrestuar pas përfundimit të procedurave policore, janë dërguar në vuajtje të dënimit”, është shprehur ajo.