Policia: 4 zyrtarë policor u sulmuan në protestën e djeshme

4 zyrtarë policor janë sulmuar gjatë protestës së djeshme të organizuar nga PSD, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Sipas raportit zyrtar, 3 policë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

Policia ka shtuar se rasti është në procedurë hetimore.

Partia Social Demokrate dje organizoi protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Protesta filloi nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës. Protesta u karakterizua me disa përplasje mes Policisë dhe protestuesve tek ndërtesa e Qeverisë.

Nga Qeveria e Kosovës këtë protestë e kanë cilësuar si të qetë, por sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, protesta kishte tendencë që të eskalojë.

Dje, Policia bëri të ditur se disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhrat e Policisë, të cilët përtej hudhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkaktuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policor.