Ilustrim

Podujevë, gruaja raporton në polici se burri e ka dëbuar nga shtëpia

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.

Sipas njoftimit, dy raste janë në rajonin e Prishtinës, një në Podujevë, një në Istog dhe dy në Gjakovë.

Në Prishtinë, është raportuar se dje dy bashkëshortë burrë e grua janë përfshirë në dhunë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në një rast tjetër në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje një person ka sulmuar fizikisht gruan e tij. Pas intervistimit, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Në Podujevë, një grua ka raportuar dje se bashkëshorti i saj e ka dëbuar nga shtëpia. Sipas Policisë, viktima është dërguar në strehimore ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Istog, një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi që ishte sulmuar fizikisht nga vëllai i saj. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë, një grua ka raportuar se burri i saj nën ndikim të alkoolit i ka shkaktuar dhunë psikike dhe fizike. I dyshuari, sipas Policisë, është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër në Gjakovë, një person ka raportuar se babai i tij nën ndikim të alkoolit e ka sulmuar fizikisht. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.