Kuvendi Komunal i Prishtinës 24.05.2024

Plani për Kalabrinë - Akuza mes opozitës e kryetarit Rama në Asamblenë e Kryeqytetit

Asambleja e Kryeqytetit po zhvillon seancën me polimika mes opozitës dhe kryetarit Përparim Rama në lidhje me mosfutjen në rend dite për planin e lagjes Kalabria.

Në shenjë revolte, po marrin pjesë edhe disa banorë të kësaj lagje.

Shefi i grupit të asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Leutrim Retkoceri, tha se Prishtina po trajtohet si zonë e betonizimit dhe koeficiente për grupe te caktuara.

“Po tentohet të ju shitet mjegull juve qytetarë, njësoj sikur neve, na është premtuar se plani i votuar në vitin 2021 duhej anuluar si shkak i vendimit te Ministrisë dhe do kthehej me ndërrime pas 6 muajsh, sot pas dy viteve nuk është plani as para jush as para Kuvendit. Na është dërguar me materiale te pa qasshme, nuk e di pse po i fshehin dokumentet. Prishtina po trajtohet si zone betonizimit dhe koeficiente për grupe te caktuara. Nga rrena dhe mashtrimi kanë shkuar deri ne arrestim te qytetareve” – ka thënë ai më 24.05.2024

Sipas tij, Kuvendi nuk duhet me u trajtu si makinë e votimeve, por duhet me u hapë dokumentet.

“Kryetari i Komunës, Prishtinën e ka vend të punës, për katër vjet, e bënë një test qysh po i bënë në shumë projekte edhe shkon në Londër. Ju të gjithë, banorë të Prishtinës, kena vendos me i rritë fëmijët edhe me kalu jetën qitu. Për qita kemi përgjegjësi se çka jemi tu votu” – tha Retkoceri.

Bahri Gashi, asamblist i AAK-së kërkoi që të thirret një seancë e jashtëzakonshme e që brenda 10 ditëve të shqyrtohet materiali.

“Më vjen marre që ka ardhë situata që banoret të mblidhen para komunës. Na për ni javë mund ta shohim planin e të vijmë prapë. Sot nuk kemi me gjet zgjidhje dhe nuk do ketë në rend ditë. Thirrni ndonjë seancë të jashtëzakonshme brenda 10 ditëve, sot me na e dërgu materialin edhe me e kalu për hir të banorëve”- tha ai.

Faton Zeka, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu kërkoi seancë të jashtëzakonshëm me pikë të vetëm të rendit të ditës për planin e Kalabrisë.

Kryetari Përparim Rama në fjalën e tij tha se pajtohet për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshëm pasi siç tha ai, dokumentacioni është i gatshëm.

“Përveç fjalimeve dhe politikbërjes që po ndodhë këtu në asamble, ne, si kabinet, po punojmë shumë. Jemi të gatshëm dhe mundemi me bë seancën e jashtëzakonshëm, javën tjetër vetëm me pikën e Kalabrisë.  Dokumentacioni është i gatshëm, e bëjmë publik edhe e bëjmë seancën pasi që nuk është fut për këtë seancë.

Rama iu drejtua asamblistëve opozitarë se i kanë sjellë banorët në sallë “duke i mashtruar”.

“Pa bo politikë siç bënë parafolësit e mi, unë nuk e kam mendjen me bo politikë, po çka du me ju tregu, që arsyeja që ka ndodhë kjo është për të mirën e qytetarëve të Kalabrisë dhe jo vetëm. Ne jemi zotu se do ta bëjmë siç iu është zotu nga qeverisjet e kaluara por jo ashtu me metra katror e pa vlerë shoqërore, edhe këtë e kam përsërit. Këta qytetarë të Kalabrisë po i mashtroni ju me politikbërje amatere, ne po punojmë. E kemi një vizion që ju e sabotoni gjithë kohën”  – tha Rama.

Pas tij, fjalën e mori shefi i grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, duke e akuzuar kryetarin Rama se nuk ka dokumentacione dhe se ato që ai po i flet janë vetëm fjalë ‘në qiell’.

“Ka ra koha e sharmit tënd, nuk të shitet më. Nuk i ki as gjysmën e asamblistëve tu. Qikaq seriozisht e merr ti Kalabrinë.  Po vazhdon me majtë fjalime politike ti – ti as politikë nuk dinë me bë. Ti s’je tu ju bë zgjidhje, je tu fol për një projekt në hava, e nuk e dim ku është ai program. Po fol për koficienta, po ti e ke majtë 2 vjet sepse ke bo pazare, kur tu kanë prishë pazaret aty tash të sulmojnë krejt.

“Qiky je ti, je zhvesh nga petku. Je dëmi i qytetarëve, i kryeqytetit. 60 mijë banorë je tu i majtë peng që dy vjet e gjysmë, ti. Të ka metë edhe një vjet e gjysmë, bëje një punë me u majtë mend për diçka, përndryshe ki me u mbajtë mend qishtu qysh je – kryetari më i dështum që e ka pasë Prishtina najherë” – tha Sveçla drejtuar Ramës.