Ushtarët e KFOR-it të lënduar në Zveçan, Pamjet: KALLXO.com

Sulmi ndaj KFOR-it në Zveçan, arrestohet një i dyshuar

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar me inicialet L.D. për sulm ndaj pjesëtarëve të NATO-s në Kosovë, KFOR.

I arrestuari po dyshohet se kreu sulm ndaj KFOR gjatë protestave të 29.05.2023 në Zveçan.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani ka thënë për KALLXO.com se i dyshuari është ndaluar më 19.06.2024, në 19:15h, në pikën e kontrollit në Bistricë dhe i njëjti ka rezultuar si i kërkuar për sulm ndaj KFOR-it.

Ai tutje ka thënë se L.D. është intervistuar në stacionin policor të Mitrovicës së Jugut dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

93 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan në Zveçan gjatë protestave të qytetarëve të komunitetit serb, të cilët nuk pranonin që kryetarët shqiptarë të komunave të vendoseshin në objektet komunale.

Një vit pas protestës, KFOR ka vazhduar të kërkojë që faktet të vërtetohen dhe autorët të mbahen përgjegjës.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11.06.2024 ka ngritur aktakuzë ndaj një të pandehuri me inicialet N.O., i dyshuar për veprat penale – sulm ndaj personit zyrtar, dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm.

Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq janë shpallur fajtorë më 27.02.2024 për pjesëmarrjen në turma në të njëjtën protestë.

Radosh Petroviq u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të njëjtit ky dënim do t’i kthehet në gjobë në shumën 6 mijë euro.

Ndërkaq, i akuzuari Dushan Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, por që në këtë dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Nën masën e tillë, Obrenoviq kishte qëndruar për mbi 5 muaj.