Tony Blair shpallet "Qytetar Nderi" i Prishtinës
Kuvendi i Komunës së Prishtinës e ka shpallur “Qytetar Nderi” ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.
Shpallja “Qytetar Nderi” e Blair-it u votua unanimisht nga asamblistët e kryeqytetit.
Para shpalljes “Qytetar Nderi” , ish-kryeministrit britanik iu dha edhe “Çelësi i Qytetit” nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Blair gjatë ditës ka zhvilluar takime me krerët shtetëror, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Po ashtu, ai u është adresuar sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ai është shprehur i nderuar dhe falënderues për mikpritjen që iu bë në Kosovë.
Kështu tha ai në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar për nder të tij, në 25- vjetorin e çlirimit të Kosovës.
“Në 10 qershorin e para 25 vjetëve u arrit marrëveshja për tërheqjen të plotë dhe pa kushte të forcave pushtuese nga territori i Kosovës. Kosova ishte më në fund e lirë, njerëzit e saj kishin mundësinë të jetonin përsëri, të shpresonin përsëri, të besonin përsëri”- ishin fjalët e para të Tony Blair, gjatë adresimit në Kuvendin e Kosovës.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kontributi i Blair-it për Kosovën është i pashoq dhe se aleatët ndërkombëtarë e ndaluan gjenocidin në Kosovë.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Blair, deklaroi se që 25 vjet, çdo ditë kosovarët janë falënderues ndaj tij.
Blair, së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës gjatë periudhës së luftës.