(Arkiv) Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës
Pse s'u takuan Kurti e Rama?
Kryeministri Albin Kurti nuk është takuar sot gjatë ditës me homologun shqiptar, Edi Rama, i cili ishte në Prishtinë për të marrë pjesë në aktivitetet për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Gjatë ditës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka treguar nëse do të takohej me Kurtin.
I pyetur se a ka ndonjë porosi për “vëllanë e vogël”, Edi Rama është përgjigjur me ironi, duke thënë se: “Vëllanë e vogël e kam në Tiranë, është drejtor i klubit Partizani”.
Ai këto komente i bëri gjatë një konferencë për media, kur u prit nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili e nderoi kryeministrin shqiptar me “Çelësin e Qytetit”.
“A ka ndonjë pyetje me shpresën që do më fusni në kurth? Po jam mësuar me këto kurthe” – tha tutje ai.
Ndërsa sa i përket takimit të mundshëm ai tha se nuk është çështje personash por çështje qasje.
“Është çështje edhe e ndarjes së interesit kombëtar nga interesat partiake dhe nga interesat e brendshme politike sepse unë besoj kur Shqipëria dhe Kosova dalin jashtë kufijve nëpërmjet të zgjedhurve të tyre atëherë janë një në kuptimin që Shqipëria është shteti i shqiptarëve, Kosova është shteti i shqiptarëve të Kosovës dhe i pakicave. Ai që përcakton politikën e jashtme dhe është ai me të cilin përcaktohet edhe mënyra se si të tjerët na shohin” – tha tutje Rama.