Plani operativ ‘Telefoni’, gjobiten shoferët nga policia

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot planin operativ “Telefoni” me qëllim identifikimin e ngasëseve të veturave që përdorin telefonin në trafik.

Zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Prishtinë, realizuan këtë plan duke bashkëpunuar mes dy pikave, ku njëri nga policët duke qëndruar larg kolegëve, me radiolidhje, njoftonte se cili vozitës është duke shkelur rregullat në komunikacion dhe cila veturë duhet të ndalohet duke identifikuar në këtë mënyrë kundërvajtësit në trafik.

Udhëheqësi i këtij plani operativ dhe njëherit shefi i operativës së njësitit të trafikut , Sylejman Halili, tha se vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, kanë humbur jetën nëntë persona në aksidente trafiku duke shënuar kështu rritje të aksidenteve për 2.7% e që sipas tij shkaktari kryesor i këtyre aksidenteve është përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.

“Në analizat të cilat i kemi bërë, si faktor kontribuues është përdorim i telefonit gjatë ngasjes. Është një shkaktar i aksidenteve të trafikut pasi në statistika del se distanca si shkaktar i aksidenteve të trafikut është diku 491 raste për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023” – tha ai.

Siç tregon ai, operacione të ngjashme për tema të caktuara, organizohen me së shumti në stinën e verës dhe dimrit ku fluksi i veturave është më i madh dhe komunikacioni më i përzier.

Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, për kundërvajtje “përdorimi i telefonit” ka shqiptuar 3 mijë e 981 tiketa, ndërsa numri i personave të vdekur në aksidente për këtë periudhë është 9, duke shënuar rënie me 18%  të personave të vdekur, në krahasim me vitin 2022 ku janë regjistruar 11 të vdekur në aksidente.