Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Planet e kandidatëve për kryetar të Drenasit për kushtet zjarrfikësve në këtë qytet

Kapacitetet e kufizuara, nevoja për një nënstacioni të zjarrfikësve në Komoran dhe përmirësimi i kushteve të zjarrfikësve janë disa çështjet që kandidatët për kryetar të Drenasit, në Debat Pernime u pyeten pasi shqetësimet i ngriti shefi i Zjarrfikësve të Drenasit, në një diskutim paraprak në platformën ZOOM.

Kandidatja për kryetare të Komunës së Drenasit, Arta Ahmeti Xhylani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka premtuar ndërtimin e një nënstacioni në Komoran dhe rritjen e numrit të zjarrfikësve.

“Zjarrfikësit janë kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme vetëm rrogat i marrin nga Komuna. Pasi që me ligj është e cekun që në një mijë banorë duhet me pas një nënstacion, gjithsesi në mandatin tonë kemi me ndërtu nënstacionin në Komoran, kemi me rritë numrin e zjarrfikësve”, tha Ahmeti – Xhylani.

Gjithashtu edhe kandidati Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin premtoi rritjen e kapaciteteve, pasi siç tha ai, çështja e zjarrfikësve është brengosëse për qytetarët e Drenasit.

“Çështja e zjarrfikësve është një brengë e qytetarëve të Drenasit. Sepse, stacioni është në Gllobar dhe i vetmi që ka mungesë të pajisjeve për ta mbuluar gjithë zonën e Drenasit. Me ardhjen tonë do ta rrisim kapacitet”, tha Ajazi.

Fejzi Kiqina, kandidat për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje tha se ndërtimi i një nënstacioni në Komoran është lokacion ideal.

“Ne i kemi vizituar edhe qendrën e Zjarrfikësve në Drenas, ku kemi parë nga afër problemet që ata i kanë. Ata i kanë me hidrantët e ujërave por është kërkesë e kamotshme edhe e Komunës që të ketë një nënstacion në Komoran sepse është në mes të Kosovës, është një vend ideal. Ne do të ofrojmë pronën”, u shpreh Kiqina.

Në anën tjetër, Lladrovci u lavdëruar se ka arritur që t’ua ngris koeficientin zjarrfikësve.

Ai po ashtu deklaroi se është duke negociuar me Qeverinë për rritjen e numrit e punëtorëve.

“Kam arrite me ua rritë një gjysmë koeficienti zjarrfikësve. Po punojnë në kushte tepër të rënda dhe në ne punojmë që pas mandatit të dytë që do ta marr, do ta kenë edhe objektin edhe pronën në Komoran”, tha Lladrovci.

Ndërkaq, Drenori tha se gjendja e zjarrfikësve nuk ka ndryshuar prej 2016-es kur ka ardhë në qeverisje Lladrovci.

Ai përmendi shembullin e Gjermanisë teksa tha se do të shtojnë vullnetarizmin e të rinjve për t’i dal në ndihmë zjarrfikësve.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Drenasit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Ata përballë Jeta Xharrës do të japin përgjigje se si do të menaxhojnë me pandeminë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Drenasit: Arta Ahmeti Xhylani nga AAK; Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin; Fejzi Kiqina nga LVV; Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Xhavit Drenori nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin”.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Drenasit: Edolina Plakiqi nga AAK; Egzona Tërdevci nga LVV; Egzona Jetullahi nga PDK; Erstina Nika nga LDK; Heroina Krasniqi nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin dhe Sadete Hysenaj nga Demokratët për Drenasin.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.