Pezullimi i protestës së Njësisë Intervenuese, Kurti thotë se do t’i takojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në lidhje me pezullimin e protestës së Njësisë Intervenuese të Policisë së Kosovës.

Kurti tha se do t’i takojë dhe do të komunikojë me ta dhe të shohin se çfarë më tutje.

Ai tha se është i interesuar që të zvogëlojë rrezikshmërinë për policinë përmes investimit në pajisje dhe mjete të punës.

“Ne jemi të interesuar që të zvogëlojmë rrezikshmërinë për Policinë tonë por kjo zvogëlohet pikërisht duke investuar në pajisje dhe mjete të punës. Dallimi në investime sa i përket mjeteve të punës dhe pajisjeve që e ulin rrezikshmërinë për Policinë tonë, sivjet është 21 herë më i lartë se para dy viteve. Në vitin 2021, investimi ka qenë më pak se gjysmë milioni euro, sivjet është mbi 9 milionë euro”- tha Kurti para mediave.

“Rrjedhimisht ne po investojmë shumë në uljen e rrezikshmërisë për Policinë tonë dhe pa dyshim që unë do t’i takoj, do t’i kontaktoj dhe do të shohim se çfarë më tutje, por ta keni parasysh që në të njëjtën kohë e kam dhënë qëndrimin dhe ka edhe shtesa jashtë orarit, ka shtesa për rrezikshmëri, do të ketë investime të vazhdueshme në Policinë tonë po e përmbylli duke e potencuar që rrezikshmëria zvogëlohet parastëgjithash e mbi të gjitha me mjete e pajisje pune gjithnjë e më moderne më parë se me shtesa përkatëse”- deklaroi ai.

Pas një takimi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gamend Hoxha me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese dhe asaj për Trajtimit e Mjeteve Eksplozive, është marrë vendim që të pezullohet protesta që ishte paralajmëruar të mbahej sot nga ora 12:00.

Deri te vendimi për pezullim erdhi premtimi që Kryeministri Kurti të takoj këto njësi speciale në një takim zyrtar e që pritet të zhvillohet javën e ardhshme.

Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta mbetet e pezulluar deri në një vendim tjetër.

Pezullohet protesta e paralajmëruar e Njësisë Intervenuese, Kurti pritet t’i takojë javën e ardhshme