Foto: KALLXO.com

Pezullohet protesta e paralajmëruar e Njësisë Intervenuese, Kurti pritet t'i takojë javën e ardhshme

Pas një takimi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gamend Hoxha me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese dhe asaj për Trajtimit e Mjeteve Eksplozive, është marrë vendim që të pezullohet protesta që ishte paralajmëruar të mbahej sot nga ora 12.

Deri te vendimi për pezullim erdhi premtimi që Kryeministri Kurti të takoj këto njësi speciale në një takim zyrtar e që pritet të zhvillohet javën e ardhshme.

Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta mbetet e pezulluar deri në një vendim tjetër.

“Gjatë takimit me këto njësi (drejtori) i ka informuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës ka premtuar që javën e ardhshme do t’i pres në takim zyrtar menaxhmentin e PK-se së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për ti diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje”- thuhet në njoftimin e PK-së.

Protesta e paralajmëruar për sot e NJSI-së dhe NJTME-së ishte për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.

Një protestë e FIT dhe NJTME u mbajt më 1 nëntor para Qeverisë së Kosovës.

Të rreshtuar dhjetëra pjesëtarë të këtyre dy njësive protestuan duke kërkuar që të respektohen kërkesat e tyre.

Njëri nga pjesëtarët e njësitit FIT përmes një deklarimi para mediave ka treguar se cka po kërkojnë nfa qeveria.

I njëjti tha se kërkojnë nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që propozimin për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikojnë edhe një herë.

Kërkesat e këtij njësiti janë që të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës; si dhe shtesat për kushte specifike të punës.

“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme dhe nuk përfaqësohemi nga askush. Kërkojmë mirëkuptim dhe nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka që 10 vite që kemi marrë premtime për benefite të cilat na takojnë, mirëpo deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar”- është thënë në protestë.

“Fillimisht mospërmbushja e kërkesave tona ka qenë mungesa e Ligjit të pagave, mirëpo edhe 9 muaj pas miratimit të këtij Ligji nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Përkundrazi, ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesë e veçantë të cilën e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra”.

Kjo Njësi ka ftuar kryeministrin dhe Qeverinë që të marrin hapa konkretë për realizimin e kërkesave, që i kanë quajtur legjitime.

Pas kësaj kërkese ishte Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla por edhe Kurti që reaguan e thanë se pjesëtarë të këtyre njësive që protestuan më 1 nëntor morën të ardhura financiare gjatë këtij viti mbi 2 mijë euro.

KALLXO.com pati raportuar se paga bazë e një pjesëtari të Njësisë Speciale Intervenuese është 631 euro ndërsa deri te shifra mbi 2 mijë euro erdhi si pasojë e orëve shtesë të cilat kishin punuar të njëjtit pas zhvillimeve që kishin ndodhur në veri të vendit.

Meqenëse pas protestës së parë, FIT dhe NJTME nuk u ftuan nga Kurti në takim, ata paralajmëruan protestën e radhës e cila u pezullua sot.