Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Petkoviq: Targat KM ende në qarkullim, por nuk do të lëshohen të reja

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se pala serbe ka arritur të ruajë paqen dhe stabilitetin, dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar në ditët e kaluara”.

Ai i bëri këto komente më 23 nëntor në Bruksel, pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat ilegale serbe.

Sipas tij, me marrëveshjen e arritur mbeten në qarkullim tabelat KM (Mitrovicë e Kosovës), të cilat, sipas tij, do të mund t’i përdorin serbët në veri të Kosovës dhe nuk do të gjobiten për diçka të tillë.

“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalemi me lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat. Por, sidoqoftë, në tre vjetët e fundit targa të reja KM nuk janë lëshuar”, ka thënë Petkoviq.

Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – më 23 nëntor kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar Ambasadën amerikane në Kosovë për angazhimin e saj në arritjen e marrëveshjes për targat ilegale serbe.

Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Borrell e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes më 21 nëntor.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.

Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës./REL